Butoni Print Screen ka pasur të njejtin funksion në sistemin operativ të Windows që nga Windows 95: atë të shkrepjes së një screenshot-i dhe kopjimin e tij në clipboard, zakonisht për ta edituar këtë fotografi në një aplikacion tjetër.
Mirëpo Windows Latest ka raportuar se Microsoft ka vendosur të ndryshojë funksionin e këtij butoni në Windows 11. Në Beta preview build 22621.1546 dhe 22624.1546, klikimi i butonit Print Screen aktivizon Snipping Tool, shërbimin e ri të Windows i cili mund të aksesohet momentalisht përmes kombinimit të tasteve Win + Shift + S.
Me përmirësimet më të reja të bëra në Snipping Tool, ky shërbim është bërë mjaft i rëndësishëm në sistemin operativ. Përmes tij ju mund të bëni screenshot ose të regjistroni një pjese të caktuar të ekranit, pra nuk do të keni nevojë që t’i bëni crop videove tuaja. Ekziston gjithashtu mundësia që të regjistroni komplet ekranin tuaj.
Megjithatë nuk dihet ende se si do të pritet ky ndryshim nga përdoruesit e Windows. Shumë prej tyre do të kishin shumë dëshirë të ruanin funksionin origjinal të butonit Print Screen. Windows e ka marrë parasysh një mendim të tillë, dhe ka ofruar një mënyrë për të penguar ndërrimin e funksionit të Screen Print, duke shkuar në Settings > Accessibility > Keyboard Menu dhe të çaktivizoni opsionin “Use the Print Screen Key to open Snipping Tool”.