Evropa gjatë viteve të fundit ka patur një tendencë për të qenë sa më e pavarur në sigurimin e shërbimeve të rëndësishme, dhe kësaj here bëhet fjalë për konstelacionin e ri të satelitëve IRIS² që do të ofrojnë internet satelitor në këtë kontinent.
Konstelacioni IRIS² ka nisur tashmë të funksionojë, me komponentët e parë tashmë aktivë. Zyrtarët e BE-së kanë konfirmuar se shtetet anëtare mund të nisin përdorimin e rrjetit, i cili shihet si përgjigjja evropiane ndaj Starlink të SpaceX për lidhje të besueshme interneti përmes satelitëve. Sipas Komisionerit të BE-së për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, si IRIS² ashtu edhe rrjeti GOVSATCOM kanë hyrë në fazë operimi të kufizuar për përdorim qeveritar dhe ushtarak. Ukraina tashmë ka kërkuar akses dhe pritet që së shpejti të vendoset lidhja e komunikimit.
IRIS², shkurtim për “Infrastructure for Resilience, Interconnectivity and Security by Satellite”, është një projekt prej 10 miliardë eurosh që synon të krijojë një alternativë evropiane ndaj Starlink deri në fund të dekadës. Konstelacioni i planifikuar do të përfshijë rreth 290 satelitë në orbita të mesme dhe të ulëta, duke ofruar lidhje të sigurta për institucionet, bizneset dhe qytetarët e BE-së.

Paralelisht, programi GOVSATCOM fokusohet në komunikime të enkriptuara për autoritetet qeveritare dhe ushtarake. Siguria dhe sovraniteti janë bërë thelbësore, veçanërisht pas polemikave rreth përdorimit ushtarak të rrjeteve private. BE synon një infrastrukturë të ndërtuar dhe të kontrolluar plotësisht në Evropë, si pjesë e përpjekjes për të ulur varësinë nga teknologjitë amerikane dhe për t’u përshtatur me një realitet gjeopolitik gjithnjë e më të tensionuar.

