Një studim i ri shkencor ka zbuluar se dëmtimi i ADN-së nga rrezatimi jonizues i shkaktuar nga katastrofa bërthamore e Çernobilit në vitin 1986 mund të transmetohet te fëmijët e personave të ekspozuar, duke ofruar për herë të parë prova të qarta për një efekt të trashëguar ndër breza te njerëzit. Studimi u udhëhoq nga një ekip kërkuesish të University of Bonn në Gjermani.
Ndryshe nga studimet e mëparshme, të cilat kërkonin mutacione të reja individuale, ky hulumtim u fokusua te të ashtuquajturat mutacione de novo të grupuara (cDNMs), dy ose më shumë mutacione shumë pranë njëra-tjetrës, të pranishme te fëmijët por jo te prindërit. Këto mutacione mendohet se lindin nga thyerjet e ADN-së së prindërve, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit.

Analiza u bazua në sekuencimin e plotë të gjenomit të 130 fëmijëve të punonjësve të pastrimit të Çernobilit, 110 fëmijëve të operatorëve gjermanë të radarëve ushtarakë (të ekspozuar ndaj rrezatimit të ulët) dhe 1,275 fëmijëve nga prindër të paekspozuar, të përdorur si grup kontrolli. Rezultatet treguan mesatarisht 2.65 cDNMs për fëmijë në grupin e Chernobylit, 1.48 në grupin e radarëve dhe 0.88 në grupin kontroll. Edhe pas korrigjimeve statistikore, diferencat mbetën domethënëse.
Studiuesit vunë re gjithashtu se sa më e lartë doza e rrezatimit te prindi, aq më shumë mutacione të grupuara shfaqeshin te fëmija, çka përputhet me teorinë se rrezatimi krijon specie reaktive të oksigjenit që dëmtojnë ADN-në.
Lajmi pozitiv është se nuk u gjet rritje e rrezikut për sëmundje te fëmijët e prindërve të ekspozuar, pasi shumica e këtyre mutacioneve ndodhen në zona jo-koduese të ADN-së. Në fakt, rreziku nga mosha e avancuar e babait në momentin e konceptimit është më i lartë sesa rreziku i vlerësuar nga ky ekspozim ndaj rrezatimit.

