Që nga presioni mbi shëndetin mendor deri tek rritja e ndjenjës së urisë, ndryshimi i klimës tashmë është lidhur me disa rreziqe shëndetësore. Tani, një studim ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike gjithashtu mund të shkaktojnë më shumë shpërthime të diarresë.
Studiuesit nga Universiteti i Surrey thonë se campylobacter – një bakter që shkakton helmimin nga ushqimi – do të përhapet më shpejt pas rritjes së temperaturave. “Ne nuk e kuptojmë plotësisht pse mund të ndodhë kjo,” tha Dr Giovanni Lo Iacono, autori kryesor i studimit.
Campylobacter është një nga katër shkaqet kryesore globale të sëmundjeve diarreike në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky infeksion mund të shkaktojë diarre dhe dhimbje stomaku. Studimet e mëparshme kanë treguar se rruga kryesore e transmetimit është nga ushqimi. Megjithatë, në studimin e tyre të ri, studiuesit nisën të hetojnë nëse ndryshimi klimatik do të ndikojë apo jo në përhapjen e tij. Ekipi analizoi të dhënat nga afërsisht një milion raste të kampilobakteriozës në Angli dhe Wales gjatë një periudhe 20-vjeçare. Ata më pas i krahasuan këto të dhëna me motin gjatë së njëjtës periudhë.
Analiza e tyre zbuloi se si incidenca e sëmundjes ishte më e qëndrueshme nën temperaturat prej 8 gradë Celsius. Megjithatë, për çdo 5 gradë rritje të temperaturës, pati një rritje të lartë të infeksionit. Ekipi zbuloi gjithashtu një lidhje me lagështinë dhe kohëzgjatjen e ditës, me nivele të larta infeksioni kur lagështia në ajër ishte në 75 deri në 80%.
Ndërsa arsyeja për këtë mbetet e paqartë, studiuesit kanë disa teori kryesore. “Mund të jetë që moti i ngrohtë rrit mbijetesën dhe përhapjen e baktereve patogjene”, tha Dr Lo Iacono. “Ose mund të jetë sjellja e njerëzve dhe mënyra se si ata shoqërohen gjatë periudhave të tilla.”