Shumë prej nesh besojnë se çdo gjurmë gishti në dorën e një personi është krejtësisht unike, por kjo teori po hidhet poshtë nga kërkimet e studiuesve në Columbia University.
Një ekip në universitetin amerikan trajnoi një mjet të inteligjencës artificiale për të ekzaminuar 60,000 gjurmë gishtash për të parë nëse mund të përcaktonte se cilat i përkisnin të njëjtit individ. Studiuesit pretendojnë se teknologjia mund të identifikojë me saktësi 75-90% nëse gjurmët e gishtërinjve të ndryshëm vinin nga një person. Por ata nuk janë të sigurt se si arrihet kjo gjë.
“Ne nuk e dimë me siguri se si arrin ta bëjë këtë diferencim inteligjenca artificiale,” pranoi Prof Hod Lipson, i cili drejtoi studimin.
Studiuesit mendojnë se mjeti i AI po analizonte gjurmët e gishtërinjve në një mënyrë të ndryshme nga metodat tradicionale – duke u fokusuar në orientimin e kreshtave në qendër të një gishti dhe jo në mënyrën në të cilën mbarojnë kreshtat individuale. “Është e qartë se nuk po përdor metodat tradicionale që mjekësia ligjore ka përdorur për dekada,” tha Prof Lipson. “Duket sikur po përdor shenjat si kurbatura dhe këndi i rrotullimeve në qendër.”
Graham Williams, profesor i shkencës mjeko-ligjore në Universitetin Hull, tha se ideja se shenjat e gishtërinjve janë unike nuk është vërtetuar asnjëherë. “Ne në fakt nuk e dimë ende me siguri se gjurmët e gishtërinjve janë unike”, tha ai. “Gjithçka që mund të themi është se për aq sa jemi në dijeni, nuk kanë qëlluar ende dy persona me të njëjtat gjurmë gishtash”.
Rezultatet e studimit mund të kenë potencialin të ndikojnë në shkencën mjekoligjore. Ekipi i Universitetit të Columbia, nga ku asnjëri prej të cilëve nuk ka studiuar mjekësinë ligjore, pranuan se nevojiteshin më shumë kërkime.