Tecno do të jetë një ndër kompanitë e shumta që do të marrë pjesë në MWC 2024, ku Geek Room dhe Neptun do të jenë të pranishëm për të informuar ndjekësit me inovacionet më të reja në botën e teknologjisë.
Me sa duket Tecno ka përgatitur disa produkte interesante për t’i prezantuar gjatë këtij eventi, si smartphone-i i ri Pova, një qen robotik, dhe syze AR për gaming si dhe një konsolë handheld të fuqizuar nga Windows. Kompania do të paraqesë gjithashtu teknologjinë Universal Tech që prezantoi gjatë verës së kaluar dhe konceptin e palosshëm Phantom Ultimate.
Tecno Pova 6 Pro 5G do të jetë një telefon i ri “i ndërtuar për të qenë shumë i qëndrueshëm dhe për të ofruar argëtim të optimizuar”, por njoftimi për shtyp nuk dha asnjë specifikim. Do të shohim gjithashtu laptopin Megabook T16 Pro 2024 Ultra me çipat më të fundit Intel Core Ultra, të dizenjuara me AI në mendje.
Qeni robotik do të quhet Dynamic 1, i cili është dukshëm i inspiruar nga kompania Boston Dynamics që popullarizoi robotët e tillë. “Karakteristikat realiste” të tij janë frymëzuar nga Pastori Gjerman dhe roboti do të ketë “algoritme të avancuara dhe sensorë të fuqishëm”.