E quajtëm Nokian të çmendur kur prezantoi 5 kamera tek Nokia 9 Pureview, por prit pak sa të shohësh patentën e re nga Samsung.
Jo 5 por 6 kamera të lëvizshme do të ketë Galaxy S30 sipas patentës së pikasur nga LetsGoDigital. Kaq shumë kamera është shumë e vështirë ti vendosësh prapa një smartphoni të hollë. Duket se Samsung do të përdorë një pozicionim horizontal, të ngjashëm me atë të S10.
Kamerat në vetvete do të jenë 5 lente kënd gjerë, ndoshta identike ose të paktën njëra superiore si dhe një kamera telephoto. Pëveç sasisë, sensorët janë të veçantë edhe në faktin se mund të anohen brenda kasës për të sjellë efekte unike.
Për shembull, sensorët anësorë mund të shohin në drejtime të kundërta për të bërë atë çka patenta e quan “pano-bokeh” një foto panoramike me sfond të mjegulluar. Por edhe shumë efekte të tjera deri tani të pamundura për smartphonët.
Kamerat mund të krijojnë material më të fokusuar, imazhe me rezolucion më të lartë dhe numër më të lartë frame-sh për të kapur objekte që lëvizin me shpejtësi, thjesht duke bashkëpunuar me njera tjetrën.
Ndër të tjera kamerat mund të lëvizin edhe brenda-jashtë, kjo jo për të kursyer hapësirë por për të ndryshuar distancën e fokusit të lentes çka sjell zoom dhe fokus më të mirë.
Patenta pretendon të arrijë më shumë rezolucion sesa pixels. Dhe duke qenë se Samsung ka një histori të shëndetshme me eksperimentet mekanike tek setet e saj të kamerave, pritshmëritë janë goxha të larta.