Raporti World Happiness Report 2026 tregon se vendet nordike vazhdojnë të dominojnë renditjen e lumturisë globale, por njëkohësisht paralajmëron për një rënie shqetësuese të mirëqenies te të rinjtë, veçanërisht për shkak të ndikimit të rrjeteve sociale.
Finlanda kryeson listën për të 9-in vit radhazi, e ndjekur nga Islanda, Danimarka dhe Kosta Rika, kjo e fundit duke arritur renditjen më të lartë ndonjëherë për një vend të Amerikës Latine. Dhjetëshja e parë plotësohet nga Suedia, Norvegjia, Holanda, Izraeli, Luksemburgu dhe Zvicra.
Për të dytin vit radhazi, asnjë vend anglishtfolës nuk është në top 10, ndërsa Zelanda e Re renditet e 11-ta. Raporti tregon se shumica e vendeve perëndimore industriale janë sot më pak të lumtura sesa në periudhën 2005–2010, me emocione negative në rritje. Në të kundërt, Evropa Qendrore dhe Lindore po shënon përmirësime të dukshme, me vende si Serbia, Bullgaria, Letonia dhe Bosnja dhe Hercegovina që kanë rritje të ndjeshme të vlerësimeve të jetës.

Një fokus i veçantë i raportit është lumturia e të rinjve. Në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore, të rinjtë janë dukshëm më pak të lumtur se 15 vite më parë. Raporti identifikon rrjetet sociale si një nga faktorët kryesorë të pakënaqësisë, pasi përdorimi i tepruar lidhet me rënie të mirëqenies, ndërsa përdorimi i moderuar (më pak se një orë në ditë) shoqërohet me nivelet më të larta të lumturisë. Platformat që nxisin lidhje reale sociale kanë ndikim më pozitiv sesa ato të drejtuara kryesisht nga algoritme.
Renditja e Shqipërisë dhe Kosovës
Në këtë raport, Kosova renditet si vendi më i lumtur në rajon, duke u përfshirë në top 20 të vendeve më të lumtura në botë (vendi 16). Ky raport reflekton përmirësime në mirëqenie dhe perceptimin e cilësisë së jetës. Ndërkohë, Shqipëria mbetet më poshtë në renditje (vendi 86) dhe e parafundit për Evropën, çka tregon se ende ka sfida strukturore në mirëqenie, besim social dhe kushte jetese krahasuar me vendet e rajonit që po avancojnë më shpejt.

