CEO i Warner Bros Discovery, David Zaslav, lajmëroi se në shërbimin streaming Max (të njohur më parë si HBO Max) do të transmetohet seriali i ri Harry Potter i bazuar në historinë e shkruar në librat e JK Rowling.
Historia e zhvilluar në 7 vëllimet e ndryshme të Harry Potter të publikuara nga viti 1997 deri në 2007, do të shndërrohet në një “serial 10-vjeçar të prodhuar me të njejtën dashuri, përkujdesje dhe aftësi epike për të cilën Harry Potter njihet”, siç lexohet në deklaratën e Max. ”Në këtë serial do të përfshihet një kast i ri aktorësh që do të drejtojë një gjeneratë të re të fansave, plot me detaje fantastike, personazhe shumë të dashur dhe vendndodhje dramatike që janë pëlqyer shumë nga fansat e Harry Potter prej 25 vitesh.”
JK Rowling do të jetë producente ekzekutive e këtij seriali, së bashku me Neil Blair dhe Ruth Kenley-Letts. Diskutohet gjithashtu që grupit t’i bashkohet dhe producenti i filmave Harry Potter të prezantuar nga viti 2001-2011, David Heyman.
Çdo sezon i serialit të ri Harry Potter do t’i përmbahet historisë origjinale të shkruar në libra dhe do të sjellë aventurat e mrekullueshme të Harry Potter drejt audiencave të reja në mbarë botën. Spekulimet për krijimin e këtij seriali televiziv nisën të qarkullonin që në vitin 2021, të cilat u pritën në mënyra të ndryshme nga fansat e Harry Potter.
JK Rowling tha se “përkushtimi i Max për të ruajtur integritetin e librave ishte shumë i rëndësishëm në marrjen e vendimit”.