Startup-i kinez i makinave elektrike Xpeng prezantoi ditën e mërkurë G9, një SUV tërheqës që karikohet shumë shpejt duke konkuruar kështu drejtpërdrejt me Tesla, BYD dhe kompani të tjera kryesore në tregun e makinave elektrike.
Ky model u prezantua gjatë vitit të kaluar, mirëpo atëherë u treguan vetëm disa detaje mbi këtë makinë, ndërkohë që këtë vit makina është e gatshme për të shkuar drejt pronarëve të rinj. Në varësi të versionit që personat do të zgjedhin, makina do të kushtojë midis $43,800 – $66,400 në Kinë.
Ky çmim është në të njejtën kategori me Tesla Model Y, e cila kushton nga $45,000 – $59,000. Xpeng pritet gjithashtu të futet në tregun evropian dhe do të jetë i disponueshëm në Danimarkë, Suedi, Norvegji dhe Hollandë.
Të gjithë personat që drejtojnë një makinë elektrike në ditët e sotme dijnë se autonomia e makinës është ndër elementët më kryesorë. Nga kjo anë duket se Xpeng nuk i zhgënjen përdoruesit në këtë drejtim. SUV premton që të kryejë 702km në një karikim të vetëm në modelin me autonominë më të lartë.
Modeli bazë i G9 ka një autonomi mjaft të mirë gjithashtu, me 570km në një karikim të vetëm, sipas Xpeng.
Mirëpo e veçanta e kësaj makine qëndron në shpejtësinë e karikimit të saj. Xpeng tregon se G9 është makina “që karikohet më shpejt në botë”, pasi të gjithë versionet G9 do të karikohen nga 10%-80% në vetëm 15 minuta.