Kjo është “Illyrian TSX”, supermakina e parë shqiptare e krijuar nga kompania Arrera Automobil me themelues shqiptarin nga Drenica e Kosovës, Qëndrim Thaçi.
Kjo makinë u prezantua gjatë ekspozitës në qytetin e Torinos në Itali, TREDITECH, pasi dhe vetë Thaçi është rritur në itali dhe me sa duket është inspiruar nga supermakinat italiane si Ferrari apo Lamborghini për të krijuar këtë makinë mahnitëse jo vetëm për nga pamja, por edhe nga performanca e saj.
Illyrian Pure Sport është e pajisur me një motor 6.2 litërsh LT2 V8 duke i dhënë makinës 840 kuajfuqi, ndërkohë që shpejtësia maksimale pritet të jetë 375km/h. Sapo shikojmë këto specifika na vjen në mend menjëherë të bëjmë një krahasim me makina shumë të njohura si modeli Aventador (shpejtësi maksimale 350km/h , 690 – 770 kuajfuqi) i Lamborghini apo një Ferrari 812 Superfast (shpejtësi maksimale 340km/h, 790 – 820 kuajfuqi) por që kanë një motor më të madh 6.5 litërsh.
Normalisht që dizajni i jashtëm është përshtatur për të qenë sa më aerodinamik, por njëkohësisht duket mjaft i bukur dhe i veçantë.
Si të gjitha supermakinat e tjera, Illyrian Pure Sport nuk është dizenjuar për t’u përdorur nga një qytetar normal, pasi vjen me një çmim prej 1.2 deri në 1.7 milionë euro.
Le të shpresojmë që së shpejti ta shikojmë këtë makinë në rrugët e trojeve shqiptare, dhe pse jo të kemi mundësinë për ta testuar nga afër.