WABetaInfo ka zbuluar një informacion të ri në postimin në të fundit në ëebsite në lidhje me WhatsApp për Android. Me sa duket kompania po punon për të përmirësuar pamjen vizuale të aplikacionit, duke ndryshuar dizajnin e përgjithshëm të tij.
Ky shërbim ka ardhur tek përdoruesit që testojnë versionin beta 2.23.8.4. Tashmë boshti i navigimit nuk do të gjendet më në pjesën e sipërme të WhatsApp, por në pjesën e poshtme, duke e bërë aplikacionin akoma më të ngjasshëm me versionin për iOS. Duket se ky ndryshim është mbështetur në filozofinë e dizenjimit të Google ku gjithçka duhet të jetë lehtësisht e aksesueshme, pasi sot kemi të bëjmë me ekrane shumë të mëdha të smartphone-ve.
Boshti i navigimit që gjendet në pjesën e poshtme tregon fillimisht seksionin Chats, më pas Communities, Status dhe Calls, siç mund të shikojmë në screenshot-in e publikuar.
Nuk dihet ende nëse ky ndryshim do të aplikohet në të ardhmen në versionin kryesor të WhatsApp për Android, pasi momentalisht po testohet nga përdoruesit e versionit beta. Mirëpo me shumë mundësi një gjë e tillë do të ndodhë, duke e lehtësuar eksperiencën e përdoruesve që ndryshojnë smartphone dhe kalojnë nga një sistem operativ Android në iOS apo anasjelltas.