Instagram ka prezantuar një përditësim të vogël por shumë të kërkuar nga përdoruesit, mundësinë për të edituar komentet. Kjo veçori i jep fund një problemi të zakonshëm, ku përdoruesit duhej të fshinin dhe rishkruanin komentet vetëm për të korrigjuar gabime të vogla. Tani, pasi poston një koment, ke në dispozicion një afat prej 15 minutash për ta ndryshuar atë. Gjatë kësaj kohe, mund ta editosh sa herë të duash.
Megjithatë, ka disa kufizime. Pasi një koment editohet, të tjerët mund të shohin që ai është ndryshuar, por nuk mund të shohin versionin origjinal. Kjo e dallon Instagram nga disa platforma të tjera që ofrojnë histori të plotë të ndryshimeve. Gjithashtu, vetëm teksti mund të modifikohet, nëse komenti përfshin edhe një foto, ajo nuk mund të ndryshohet.

Edhe pse duket si një përditësim i vogël, ai është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Instagram për të përmirësuar përvojën e përdoruesit dhe për të adresuar ankesa të vjetra. Në fakt, disa përdorues kishin vënë re këtë funksion gjatë fazës së testimit, përpara se të bëhej publik. Reagimet kanë qenë kryesisht pozitive, me shumë persona që shprehen se kjo ishte një veçori që duhet të ishte ofruar prej kohësh.
Në të njëjtën ditë, Instagram njoftoi edhe masa të reja për kufizimin e përmbajtjeve për adoleshentët, duke u bazuar në klasifikime të ngjashme me filmat për moshat 13+. Kjo vjen në një kohë kur platforma po përballet me presion të madh ligjor dhe publik për ndikimin e saj tek të rinjtë.
Meta ka humbur disa çështje të rëndësishme gjyqësore, ku është akuzuar për rrezikimin e sigurisë së fëmijëve dhe për krijimin e aplikacioneve që nxisin varësi tek të rinjtë. Ndërkohë, mijëra padi të tjera vazhdojnë të jenë në proces.

