Disa prodhues të smartphone-ve Android ofrojnë mundësinë që ju të kyçni aplikacionet e instaluara në pajisje duke i aksesuar ato vetëm nërpërmjet shenjës së gishtit. Duket se Meta është inspiruar nga këto opsione për të testuar një shërbim të ri në WhatsApp: atë të kyçjes së chat-eve të veçanta.
WABetaInfo ka raportuar se në versionin më të ri beta të WhatsApp në PlayStore (2.23.8.2) shfaqen shenjat e para të këtij shërbimi. Përdoruesit do të kenë mundësinë që të kyçin chat-e të caktuara në platformë dhe t’i aksesojnë ato vetëm pas skanimit të shenjës së gishtit apo shkruajtjes së një password-i.
Për më tepër siguri, që të gjitha chats që ju vendosni të kyçni do të zhvendosen nga ndërfaqja kryesore në një hapësirë të re, në mënyrë që ju të skanoni shenjën e gishtit vetëm një herë për të aksesuar të gjithë chats të kyçura.
Një shërbim të ngjashmëm e kemi parë prej kohësh të implementuar nga rivalët e WhatsApp, Telegram, të cilët kanë lejuar kyçjen e komplet aplikacionit dhe jo vetëm të chat-eve të caktuara. Është e çuditshme se përse WhatsApp nuk ka zgjedhur të njejtën mënyrë implementimi, por ka vendosur të mbrojë biseda të caktuara.
Më shumë detaje rreth këtij shërbimi pritet të zbulohen në javët në vijim.