Netflix po përpiqet të zgjerojë mundësitë për gjenerimin e fitimeve me lançimin e disa video-lojrave të përfshira në platformë. Deri më tani Netflix ka të përfshira 24 lojra dhe planifikon që ky katalog të zgjerohet me 26 tituj të tjerë deri në fund të këtij viti, mirëpo me sa duket përdoruesit nuk janë shumë të tërhequr nga ky shërbim.
Sipas Apptopia, një mesatare prej 1.7 milionë njerëzish po luajnë lojrat e ofruara nga Netflix, një shifër prej më pak se 1% e 221 milionë të abonuarve në platformë. Lojrat janë shkarkuar në një total prej 23.3 milionë herësh. Lojrat nuk kanë arritur t’i bindin ndjekësit që t’i provojnë dhe pse mbajnë tituj nga serialet më të njohura në platformë si Stranger Things.
Siç tregohet nga CNBC, Netflix duket se ka ndërmarrë një hap në errësirë, pasi COO Greg Peters tha se vitin e kaluar kompania ishte shumë muaj dhe vite larg të kuptuarit se si lojrat mund të mbajnë për më gjatë përdoruesit në shërbim.
Ndryshe nga Apple Arcade, Netflix nuk e ka mundësinë për të eksperimentuar. Apple ofron më tepër se 200 lojra klasike të iOS dhe disa tituj ekskluzive që vijnë së bashku me abonimet Apple One.
Netflix është gjithashtu duke u përgatitur për të ofruar kategorinë e re të abonimit, ku ju do të paguani më pak por do të keni reklama në Netflix, i cili pritet të rrisë fitimet e kompanisë.