Snapchat po prezaton një mënyrë të re për të fituar para nga platoforma për krijuesit. Tashmë ka nisur testimi i një shërbimi të ri ku do të bëhet e mundur shfaqja e reklamave në stories, dhe fitimi i gjeneruar nga këto reklama do të ndahet me krijuesit.
Reklama do të vendoset brenda Star’s Story, dhe aktualisht shërbimi po testohet nga një grup i vogël krijuesish në SHBA. Kompania tregon se ndarja e fitimeve është e bazuar mbi një formulë që përfshin në llogari frekuencën e postimeve dhe ndërverprimin me ndjekësat.
Snap Stars janë të gjithë krijuesit e njohur të cilët kanë një numër të lartë ndjekësish dhe janë të verifikuar në Snapchat me një yll të artë.
Gjatë viteve të fundit Snapchat ka shtuar disa opsione të reja për të gjithë krijuesit që dëshirojnë të monetizojnë prezencën e tyre në aplikacion. Përdoruesit e Snapchat shohin prej kohësh reklama midis stories të miqve të tyre apo në seksionin Discovery, mirëpo kësaj here krijuesit do të marrin një përqindje të fitimit nga reklamat në stories.
Ky shërbim vjen shumë pak kohë pas deklaratës së CEO-s Evan Spiegel, ku ai pranon hapur dominancën e TikTok.
Deri më tani krijuesit më të mirë në Snapchat kanë arritur të bëjnë përfitime të mëdha përmes Spotlight Challenges.