Apple po zhvillon një shërbim të ri i cili do të përdoret për të skanuar dëmtimet kozmetike të iPhone-ve me qëllim kryesor gjenerimin e një vlere më të saktë për rishitjen e këtyre pajisjeve.
Kodi për këtë shërbim u zbulua në versionin beta iOS 15.4 nga MacRumors. Deri më tani nuk ka shumë detaje mbi këtë shërbim, por në një seksion të quajtur Diagnostic Services përmenden “Trade-In Tool” dhe “Cosmetic Scan”, të cilat do të përfshijnë dhe një kod QR.
New diagnostic ‘Cosmetic Scan’. pic.twitter.com/LbFVLxKgTo
— Steve Moser (@SteveMoser) January 27, 2022
Ne nuk e dimë ende se si ky shërbim do të funksionojë, por ai mund të lejojë përdoruesit e iPhone-ve të skanojnë pajisjen e tyre që dëshirojnë ta shesin dhe vlerësojnë gërvishtjet dhe problemet e tjera kozmetike. Të gjitha këto rezultate mund të shkojnë më pas drejt Apple.
Deri më tani nuk dihet se kur ky shërbim do të jetë i aksesueshëm, por për sa kohë që lidhet me rishitjen e pajisjeve të vjetra mund të jetë diçka që do ta shohim kur versioni publik i iOS 15.4 të prezantohet.