Apple është rikthyer me disa reklama të reja për linjën iPhone 13, të cilat vënë në dukje pikat më të forta të këtyre smartphone-ve, si përshembull fortësia e xhamin Ceramic Shield dhe jetëgjatësia e baterisë. Kompania publikoi gjithashtu një film të shkurtër të xhiruar në iPhone 13 Pro për të festuar Vitin e Ri kinez.
Reklama e parë quhet “Run Baby Run”, ku shfaqet një fëmijë i vogël që vrapon rreth shtëpisë me një iPhone 13 në dorë, duke e përplasur dhe duke e hedhur në tokë shpeshherë. Sigurisht, me iPhone 13 nuk ndodh asgjë.
Në reklamën e dytë të quajtur “Doin’ Laps” reklamohet jetëgjatësia e baterisë në modelet e linjës iPhone 13. Në këtë video tregohet një fëmijë që lëviz me biçikletën e tij gjatë gjithë ditës dhe filmon gjithçka me iPhone-in e tij. Në fund të ditës pajisja ishte ende në gjendje të regjistronte, duke sugjeruar kështu se bateria e smartphone-it mund të zgjasë lehtësisht për një ditë të tërë.
Bashkë me dy videot e lartpërmendura u publikua dhe një film i shkurtër 23 minutësh i cili është regjistruar tërësisht me një iPhone 13 Pro. Filmi tregon për “historinë e një babai, një djali dhe një fshati të humbur me një ëndërr jashtë kësaj bote”. Ky film u krijua nga regjizori Zhang Meng në nder të Vitit të Ri kinez (këtë vit është Viti i Tigrit).
Në një tjetër video 3 minutëshe tregohet se si “The Comeback” u regjistrua në një iPhone 13 Pro.
Article by Krisitan Hodo