Më në fund Sony ka prezantuar pllakat ballore me ngjyra të ndryshme të sajat për PS5, duke bërë të mundur kombinimet me ngjyra të ndryshme si e zezë, e kuqe, pink, blu dhe lejla në këtë konsolë. Kjo gjë më parë mund të bëhej vetëm përmes palëve të treta të cilat ofronin pllaka ballore me ngjyra të tjera, të cilat u sulmuan nga Sony në beteja ligjore, por pa rezultat.
Ngjyrat e reja të pllakave ballore janë dizenjuar për t’iu përshtatur ngjyrave të controller-ave DualSense. Ngjyra blu dhe e kuqe do të jenë të aksesueshme për publikun në janar në shumicën e tregjeve ku PS5 shitet, ndërkohë që ngjyrat e tjera do të vijnë pak më vonë gjatë gjysmës së parë të 2022.
Sony po planifikon të ofrojë një pllakë ballore të zezë në 21 janar në PlayStation online store me çmim $54.99, ndërkohë që controllers me ngjyrat e reja kanë një çmim prej $74.99.
Prezantimi i Sony vjen vetëm disa javë pasi kompania patentoi pllakat ballore të PS5. Kompania është përballuar në beteja ligjore me shumë shitës të palëve të treta të cilët ofronin pllakat ballore me ngjyra të ndryshme. DBrand ishte njëra prej tyre, e cila u detyrua të tërhiqte pllakat ballore nga tregu vetëm për t’i riprezantuar pas disa ditësh me një fushatë marketingu që tallej me ekipin ligjor të Sony.