Shitjet e smartphone-ve përgjatë periudhës korrik-shtator ranë me 6% krahasuar me vlerat e 1 viti më parë, sipas të dhënave të fundit nga Canalys. Mungesa e komponentëve në treg dhe kriza globale e proçesorëve gjysëmkonduktor janë arsyet kryesore për këtë rënie të regjistruar, ndërkohë që raportimet e fundit tregojnë se do të duhet të paktën dhe një vit tjetër deri sa kërkesa dhe oferta e proçesorëve të balancohet.
Canalys tregon se Samsung u rikthye sërisht në krye të listës si shitësi më i madh i smartphone-ve gjatë 3 mujorit të 3-të të 2021. Apple gjendet në vendin e dytë me 15% të tregut, një përmirësim nga e njejta periudhë në vitin e kaluar me 3 pikë përqindjeje. Xiaomi renditet në vendin e 3-të, me vetëm 1% më pak se Apple, pra 14% të tregut. Në vendin e katërt dhe të pestë kemi Vivo dhe Oppo, smartphone-t e shitur të të cilave zënë 10% të tregut.
Mirëpo në 3 mujorin e fundit pritet që të regjistrohen shifra më të larta shitjesh, pasi së shpejti do të zhvillohen uljet e mëdha të së Premtes së Zezë në perëndim dhe Ditës së Beqarëve në Kinë. Gjithashtu një smartphone i ri do të ishte një dhuratë mjaft e bukur për festat e fundvitit.