Versioni i ri i sistemit operativ të Apple, iOS 15, do të vijë drejt të gjithë përdoruesve ditën e hënë në datën 20 shtator. Në këtë update përfshihen shumë shërbime të reja si mundësia për të telefonuar në FaceTime përdoruesit e Android, ruajtja e patentës suaj në portofolin dixhital dhe përmirësime në Apple Maps, mirëpo ju mund të dëshironi të prisni një ose dy javë para se ta instaloni iOS 15.
E gjithë kjo pritje do të shërbejë në të mirën tuaj, pasi ky update do të përdoret për herë të parë në masë nga përdoruesit. Dhe pse ai është testuar nga testuesit beta, në versionin përfundimtar mund të ketë disa bugs që nuk janë vënë re nga këto persona, siç ndodhi dhe në publikimin e iOS14, ku default browsers dhe aplikacionet e email-it ndërroheshin sa herë që pajisja rindizej.
Ne nuk mendojmë se këto bugs do të jenë shumë të përhapura, mirëpo ato mund të jenë të mërzitshme nëse ju pengojnë rregullisht.
Në eksperiencën tonë të testimit të versionit beta të iOS 15, build i 3-të ishte disi problematik pasi aplikacionet bënin crash pa asnjë arsye. Me shumë mundësi Apple i ka rregulluar të gjithë këto probleme, por nëse ju e instaloni iOS 15 që në ditën e parë do të shërbeni si një testues beta.