Familja e një djali 15 vjeçar i cili ndërroi jetë pasi u përplas nga një makinë Tesla në 2019 ka vendosur të padisë kompaninë pasi ata besojnë se sistemi Autopilot luajti një rol mjaft të rëndësishëm në këtë përplasje.
Jovani Maldonado po udhëtonte në makinë me babain e tij, Benjamin, në gusht të 2019 kur makina e tyre u godit nga një Tesla. Jovani nuk kishte vënë rripin e sigurimit dhe nga fuqia e përplasjes ai doli nga makina. Të dhënat e rekuperuara nga Tesla treguan se makina kishte të aktivizuar sistemin Autopilot në momentin e përplasjes, dhe se ishte regjistruar një rritje e shpejtësisë pak para frenimit. Avokati i Maldonados, Swanson, i shpërndau këto të dhëna të grumbulluara me New York Times.
Mirëpo dhe pse ky sistem është quajtur Autopilot, ai nuk e bën makinën tërësisht self-driving. Drejtuesit duhet të mbajnë duart në timon dhe të jenë të gatshëm të ndërhyjnë në çdo moment ku ndërhyrja është e nevojshme, sipas instruksioneve të Tesla.
Avokati Swanson akuzon Tesla-n se reklamimi i këtij shërbimi inkurajon keqpërdorimin e tij, ndërkohë që avokatët e Tesla treguan se policia evidentoi se faji ishte i drejtuesit të makinës dhe jo makinës, pasi ai po udhëtonte me shpejtësi jo të sigurtë.