Javën e kaluar, Apple tha se donte që punonjësit të riktheheshin në kampusin Cupertino për vetëm 3 ditë në javë, duke filluar nga muaji shtator. Mirëpo disa prej tyre që u mësuan tashmë me punimin nga shtëpia nuk ishin të gatshëm ende.
Para se pandemia e COVID-19 të fillonte, shumica e punonjësve punonin në zyra, por duke filluar nga “lockdown” në mars të 2020, punëdhënësit kuptuan se stafi i tyre mund të ishte mjaft produktiv dhe kur gjendeshin në shtëpi. Aq e rehatshme ishte kjo “gjetje” për punonjësit, saqë ato po kërkojnë të mos kthehen më në zyra, ose të gjehet një rrugë e ndërmjetme.
Google, njësoj si Apple ka gjetur një zgjidhje të kombinuar për punonjësit, 3 ditë në zyrë dhe 2 ditë në shtëpi. Koha në zyra është e domosdoshme sipas tyre për t’u fokusuar në bashkëpunimin dhe funksionimin normal.
Facebook gjithashtu po zgjeron punimin nga shtëpia, duke i thënë punonjësve se në 15 qershor kompania do të lejojë punimin nga shtëpia për shumicën e niveleve brenda saj.
Microsoft ka vendosur t’a lejë në dorë të menaxherëve zgjidhjen e situatës, por shumica e punonjësve do të punojnë në largësi për një pjesë të kohës (më pak se 50% të saj).
Amazon fillimisht tentoi të rikthente punën e plotë nëpër zyra, por këtë javë tregoi se ka vendosur që punonjësit të kenë një orar pune më fleksibël, 3 ditë në zyrë dhe 2 ditë në shtëpi.
Salesforce nga ana tjetër po i jep punonjësve disa zgjidhje të ndryshme në varësi të rolit të tyre. Shumica e punonjësve mund të punojnë nga shtëpia në pjesën më të madhe të kohës dhe mund të kthehen në zyrë për 1-3 ditë. Personat që nuk jetojnë pranë zyrave dhe nuk kanë një punë që kërkon praninë e tyre, nuk e kanë të detyrueshme të paraqiten në zyra.