Huawei ka deklaruar se sistemi më i ri operativ HarmonyOS do të vijë në smartphone-t Huawei në një update të ardhshëm. CEO Richard Yu tha se kompania do të update-ojë rreth 100 modele të pajisjeve nga kjo kompani në OS e ri, duke përfshirë dhe tabletët MatePad Pro.
Fillimisht HarmonyOS do të vijë në serinë e modeleve flagship si Mate 40, P40 dhe Mate 30, dhe pas një viti do të jetë e aksesueshme dhe në pajisjet tjera. Kompania tregon se smartphone-t e vjetër si Mate 9, Mate 10, P20 dhe P10 do të marrin këtë update në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Sipas Huawei, Harmony OS do të ofrojë një lidhje më të besueshme midis pajisjeve të ndryshme, duke përfshirë lidhjen e shpejtë dhe të thjeshtë me kufjet wireless dhe speakers përmes një drag-and-drop interface. Bashkë me smartphonet dhe tabletët MatePads, do të jetë dhe Huawei Watch 3 që do të përfitojë nga ky OS.
Edhe pse ky sistem operativ është “tërësisht i ri”, raportime të ndryshme tregojnë se HarmonyOS përdor shumë kode nga versioni open-source i Android, të cilin po e zëvëndëson.
Gjatë prezantimit të HarmonyOS, kompania shfaqi dhe pamjet e para të serisë P50 që do të vijnë së shpejti. U publikuan shumë pak specifika rreth tyre, ndërkohë që çmimi dhe data e publikimit nuk u përmendën fare.
Ajo që mund të shihet mjaft qartë janë 4 kamerat në pjesën e pasme, të cilat si zakonisht janë krijuar në bashkëpunim me Leica. Huawei pretendon se do të “ngrejë teknologjinë e kamerave në smartphone në një nivel tjetër”. Richard Yu tha gjatë prezantimit se P50 do të ketë një dizajn mjaft të lehtë dhe ikonik.