Një vit më parë VivaTech nuk pati mundësinë të organizohej për shkak të pandemisë, mirëpo këtë vit ai rikthehet nga data 16 deri në 19 qershor në Paris, si një konferencë hibride, me prani të limituar njerëzish në salla dhe transmetim online për audiencën dixhitale.
Do të jenë 3 kanale ku fansat mund të ndjekin konferencën, ku VivaTech Central do të përfshijë përmbledhje të gjithçkaje që ka ndodhur gjatë ditës. Qëllimi i VivaTech për eventin e këtij viti është të shkojë përtej eksperiencave të mëparshme, të shërbejë si një trampolinë për rekuperimin ekonomik dhe transformimin dixhital në një mënyrë mjaft të sigurt. Ja kush do të jenë temat kryesore të VivaTech për këtë vit:
Teknologjia për ambientin
Shqetësimi rreth ambientit që na rrethon nuk ka qenë kurrë më i madh, kështu që VivaTech po merr pjesë në iniciativa të ndryshme, ku mund të përmendim FAMAE challenge dhe #PoweredByTweets për të luftuar ndryshimet klimatike. Gjatë kësaj kohe do të shfaqen disa inovacione nga kompani të ndryshme duke përfshirë Solar Stratos, Farm3 dhe Wind My Roof, një kompani që prodhon turbina ere të instalueshme në çati.
Teknologjia për shoqërinë
Pandemia ka rritur fokusin në nevojën kritike të investimit në shqetësimet shoqërore. VivaTech po bashkëpunon me Unesco-n për të krijuar startup-in Challenge, i cili do të gjejë zgjidhje për problemet që Unesco i cilëson si kryesore, si pershembull ruajtja e planetit dhe biodiversitetit. Një tjetër iniciativë në fokus do të jetë promovimi i femrave në teknologji.
Teknologjia për t’u ndjekur
Si gjithmonë, VivaTech do t’i kushtojë rëndësi teknologjisë dhe inovacionit në fushat e aeronautikës, bioteknologjisë, nanoteknologjisë dhe robotikës. Njerëzit do të prezantohen gjatë këtij eventi me një prototip të makinës elektrike nga Renault, me robotin Spot nga Boston Dynamics dhe Video Window.
Qëllimi kryesor i VivaTech është ndihmimi i gjeneratës së re të startups në krijimin dhe zhvillimin e tyre. Këtë vit, ky qëllim është mbështetur masivisht nga presidenti i Francës, Macron, i cili ka nisur një program Scale-up Europe që bashkon 150 themelues, investues dhe lider biznesi për të përshpejtuar ngritjen e startup-eve.
Pandemia e detyroi VivaTech të riorganizonte gjithçka, duke e bërë të aksesueshme për akoma më shumë persona në të gjithë botën.