Nëse ju jeni një përdorues i Epic Games, atëherë ju duhet ta dini që kjo kompani jep lojëra falas çdo të enjte. Në javët e kaluara janë ofruar GTA 5, Rage 2, Hitman dhe Watch Dogs 2, ndërsa këtë javë loja falas do të jetë Surviving Mars, që rregullisht kushton $30.
Nëse mendonit se menaxhimi i resurseve për të ndërtuar një qytet në SimCity është sfiduese, atëherë duhet të provoni menaxhimin e tyre në një planet të huaj, duke marrë furnizime nga Toka. Aty do të zbuloni se dhe problem më i vogël mund të shndërrohet në një dështim katastrofik për të gjithë koloninë.
Surviving Mars ndjek hapat e lojërave klasike të ndërtimit të qyteteve dhe shkon më tej duke ju dhënë mundësinë për të eksploruar misteret e Marsit. Këtë javë, përvec Surviving Mars do të merrni dhe add-on Mysteries Resupply Pack falas, dhe pakot deluxe upgrade do të jenë 50% më të lira.
Nëse jeni të rinj në giveaway-n e Epic Games, gjithçka është shumë e thjeshtë. Si fillim duhet të regjistroheni në portal dhe më pas mund të përfitoni lojën falas që do të jetë e juaja përgjithmonë.