Pak ditë më parë, në profilin e Instagram të Geek Room nisëm të marim disa raportime mbi llogari WhatsApp-i të cilat po vidhen fare lehtë tek përdorues të cilët nuk kanë shumë njohuri dhe priren të besojnë personin i cili i shkruan.
Çfarë po ndodh?
Përdoruesit raportojnë se po i vjen një mesazh konfirmimi nga WhatsApp me një kod i cili do të verifikojë aksesin nga një paisje tjetër. Pak sekonda më vonë, një person i njohur nga kontaktet i shkruan dhe i kërkon kodin që sapo mbërriti. I prirur të besojë personin e njohur, viktima i jep kodin dhe pas pak minutash sheh që llogaria e tij në WhatsApp është mbyllur.
Në të vërtetë, pas personit që ju shkroi, qëndron një hacker i cili ka vjedhur në të njëjtën mënyrë llogarinë e tij. E njëjta gjë do të ndodhë me disa prej miqve tuaj pasi llogaria është hakuar.
Si duhet të sillemi?
Së pari, duhet të kuptoni se mesazhet e verifikimit të një llogarie lidhen drejtpërdrejtë me ju dhe të dhënat tuaja. Pra, në rast se nuk je ti qe e ke kërkuar, ky mesazh mund të jetë një tentativë për hackim ose në rastin më të mirë: një gabim njerëzor.
Cilado qoftë arsyeja, ju thjesht nuk duhet t’i jepni askujt kodin që ju vjen me mesazh, ai është shumë personal. Edhe nëse kërkohet nga shoku yt i ngusht!
Së dyti, nëse një person i njohur ju kërkon kodin që ju erdhi, kuptoni që pas atij teksti fshihet një hacker. Më e mira që duhet të bëni është të lajmëroni persona të përbashkët, në mënyrë që ato të mos kthen në viktima.