Historikisht, konsolet për video-lojra kanë qenë konsiderueshëm më të vogla se njësitë e PC, çka i bënte edhe më tërheqëse nga një kategori më e gjerë përdoruesish. Por jo me këtë gjeneratë ama. Jo, jo, Xbox Series X dhe PS5 janë goxha të mëdha, sidomos kjo e fundit.
Aq të mëdha sa përtej memeve të internetit, edhe Ikea ka vendosur të marrë një copë nga fama e tyre. Si një kompani mjaft kreative në plotësimin e nevojave të klientit, kompania suedeze, ka bërë dy makete kartoni me përmasat e vërteta të të dyja konsoleve. Nuk e dimë a janë në shitje apo jo, por të paktën kur klientët e Ikea të zgjedhin komodinën, apo mbajtësen e re të televizorit, të mund edhe të projektojnë hapësirën që PlayStation-i më i madh në histori do i marrë kur t’i mbërrijë si porosi.
Ose nëse dikush e ka atë tashmë në shtëpi, të mos ketë nevojë që t’a marrë me vete për t’a provuar me mobiljet e reja, sepse një detaj tjetër dallues i kësaj gjenerate konsolesh është që peshojnë ca.