Konkurentë në pasuri por konkurentë edhe në sipërmarrje, pavarsisht se Blue Origin kompania e Jeff Bezos është vite mbrapa asaj të ElonMusk, kjo nuk e ka penguar atë që të marrë financime miliona dollarëshe nga qeveria për të zhvilluar transportin hapësinor.
“Ky është motorri që do të çojë gruan e parë në Hënë” ka thënë Bezos në një postim ku paraqet testin që ka bërë në Qendrën Marshall Space Flight të NASA në Huntsville, Alabama.
Motorri BE-7 është pjesë e sistemit të uljes së njeriut në Hënë që kompania po konkuron me SpaceX dhe Dynetics për të çuar një grup astronautësh në planetin satelit brenda 2024. E në përpjekje për të qenë politikisht korrekt apo për t’u diferencuar nga alternativat e tjera, Bezos duket se i dedikon rëndësi të veçantë barazisë gjinore në kompaninë e tij.
NASA duhet të zgjedhë dy kompani në fillim të marsit 2021 për të mbështetur prototipet e tyre që do të transportojnë mallra e njerëz në dekadën e ardhshme. Kontinenti i ri i gjeneratës tonë është hapësira.