Satelitët e Elon Musk duket se janë gati për të operuar edhe pse në kushte jo optimale dhe larg premtimit të parë.
“Better Than Nothing” është programi beta i cili fton entuziastë të kompanisë që ndodhen në veri të U.S.A, të bëhen pjesë e një abonimi me një tarifë më të lartë e shërbim më inferior se mesatarja aktuale e shërbimeve ekzistente.
Ky program fillestar do të ofrojë shpejtësi nga 50Mbps deri në 150Mbps me vonesa latence 20 deri në 40 ms, e më keq akoma kompania lajmëron se do të ketë periudha të shkurtra pa lidhje fare. Ky shërbim kaq fillestar do të kërkojë $500 për modemin i cili duhet drejtuar nga qielli pa pengesa dhe do të kushtojë $99 në muaj.
Marrëzi, por në fakt ftesa u ka shkuar atyre që janë regjistruar në faqen zyrtare të Starlink dhe kanë shprehur interes për të mbështetur fazat e para të projektit.
Ndërsa kompania instalon terminale dhe përmirëson infrastrukturën, shërbimi sigurisht që do të jetë problematik. Programi “Më Mirë se Asgjë” është alternativë për ata që nuk e kanë mundësinë e lidhjes me internet në zonat ku ndodhen, megjithse satelitët mund të ofrojnë shërbim vetëm në veri të Amerikës dhe jug të Kanadasë.
Starlink është në fillesat e veta, dhe larg destinacionit por potenciali është i madh duke konsideruar hapat e progresit në kaq pak kohë.