Snapchat dhe Instagram vazhdojnë të mbeten mes aplikacioneve më të dashura, ama nëse ke një Android shpesh herë duket sikur cilësia e materialeve që shpërndan është inferiore ndaj atyre nga iOS.
Është e vërtetë, liria që një sistem i hapur operativ ofron vjen me një kosto të tillë. Kur zhvilluesit krijojnë një aplikacion i cili duhet të xhirojë, të luajë videot, të ngarkojë dhe më pas të bëjë gjithë interaksionin social, u duhet gjithashtu ta projektojnë sipas kamerës së smartphonit.
Projektimi sipas smartphonëve iOS është shumë herë më i lehtë pasi ekziston një numër ekzakt smartphonësh dhe Apple cakton vetë rregullat e saja duke thjeshtësuar punën të dyja palëve.
Në botën Android nga ana tjetër ekziston një det me alternativa, smartphone dhe konfiguracione setesh kamerash, aq shumë sa zhvilluesit e Instagram dhe Snapchat do t’u duhej shumë kohë dhe shumë staf për t’u përshtatur. Diçka të cilën as njëri as tjetri nuk kanë ndërmend ta bëjnë.
Google e ka kuptuar këtë që në fillimet e jetës së Android, ndaj përpiqet ta zgjidhë duke ofruar një minimum suporti për të gjithë smartphonët. Galaxy S20 ka një kamera superiore dhe opsione të çmendura por pa një kod të dedikuar ndaj kamerës së tij gjithçka marrim është ai minimumi i mësipërm.
Zgjidhja që Google po ofron është libraria Camera X Jetpack, një opsion i cili do t’i lejojë secilës kompani që prodhon smartphona t’i ofrojë zhvilluesve të aplikacioneve third-party si Instagram apo Snapchat të përdorin specifikat e kamerave të tyre.
Por askush nga kompanitë prodhuese nuk është e gatshme të japë informacione për sistemet e tyre të kamerave, tek e fundit shpesh herë ajo është pika më e fortë që i diferencon nga konkurrenca. Dhe meqenëse Google kësaj pune nuk ka çfarë i bën, mbetemi në mes të këtij lëmshi.