WhatsApp apo WeChat?
Teksa mes përditësimesh nga java në javë marrim ndonjë ndryshim për emoji apo numrin e pajiseve ku mund të përdoret njëkohësisht, transfertat e parave janë një moment për t’i dhënë gjithë vëmendjen e duhur.
Nga dita e sotme çdo përdorues i WhatsApp në Brazil mund të bëjë pagesa kesh dhe transferta nëpërmjet aplikacionit të cilin deri dje e përdorje për të bërë mute grupet e besdisshme dhe qarkullim memesh.
Dhe brenda vitit do të shpërndahet kudo.
Kompania thotë se shërbimi po implementohet me duke pasur në mendje biznesin e vogël “duke i bërë mënyrat e pagesave të thjeshta mund të sjellë më shumë biznese drejt ekonomisë digjitale duke hapur mundësi të reja dhe rritje.”
Por edhe dërgesa e parave drejt të dashurve sa më lehtë është në fokus, sidomos në kohë të tilla ku distancohemi sa vjen e më shumë.
Për transaksionin e parave do të duhet sigurisht një nivel sigurie mjaft i lartë, përforcuar nga pini me 6 shifra ose shenja e gishtit. Në fillim do të funksionojë me kartat e kreditit dhe debitit të disa bankave Braziliane në rrjetin Mastercard dhe Visa.
Për përdoruesin e thjeshtë, dërgesa e parave dhe blerjet në WhatsApp do të jenë falas. Bizneset do të paguajnë komisione të ngjashme me ato kur pranojnë transaksione me kartë.
Dhe tani që Facebook ka më në fund akses edhe tek portofoli, jemi vetëm pak vite larg zbatimit të planit të para-deklaruar të Zuckerberg; një aplikacion i vetëm, për të bërë gjithçka, nga pazari deri tek planifikimi i pushimeve, rankimi i bizneseve dhe shërbimeve, porosia e picës apo ato atletet e bukura që pe tek ai dyqani online. Dhe vështirë të parashikosh si do të duket një platformë e tillë, po me siguri mesazhet nuk do jenë i vetmi shkëmbim.