Thashethemet më të fundit nga bota e harduerit për gaming po ndezin alarmin mes gamer-ave, pasi raportohet se Sony mund të përballet me koston më të lartë ndonjëherë për prodhimin e një konsole. Sipas një leaker-i të njohur në industri, PlayStation 6 mund t’i kushtojë kompanisë gati 1,000 dollarë për njësi, duke e bërë çmimin final një çështje serioze diskutimi.
Burimi i këtyre pretendimeve është KeplerL2, i cili thotë se kostoja e prodhimit të PlayStation 6 është rritur me rreth 200 dollarë vetëm kohët e fundit. Fillimisht, “fatura e materialeve” ishte rreth 760 dollarë, por rritja e çmimeve për çipa, memorie dhe storage, e nxitur kryesisht nga bum-i i AI, e ka çuar shifrën në rreth 960 dollarë.
Kriza globale e komponentëve po godet të gjithë industrinë. Microsoft tashmë ka njoftuar rritje çmimesh deri në 150 dollarë për konsolat Xbox, ndërsa ekspertët e zinxhirit të furnizimit, paralajmërojnë se mungesa e memories mund të përkeqësohet.
Çfarë do të thotë kjo për konsumatorët?
Sipas Kotaku, Sony e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shesë konsolën me humbje. Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson se nuk është realiste të përthithen të gjitha rritjet e kostove dhe se shitja e harduerit me humbje të mëdha nuk është në planet e saj.
Nëse këto shifra janë të sakta, një PlayStation 6 me çmim rreth 1,000 dollarë duket gjithnjë e më i mundshëm, dhe kjo pa përfshirë fitimin. Situata bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti që gjigantë si Western Digital kanë paralajmëruar mungesa të storage-it deri në vitin 2028 për shkak të kërkesës nga kompanitë e AI.

