Për vite me radhë, shtimi i dikujt në WhatsApp mund të realizohej vetëm duke shpërndarë numrin e telefonit. Një detaj jo gjithmonë i rehatshëm, sidomos kur sapo njeh dikë, ose kur ndodhesh në një grup me dhjetëra persona të panjohur. Tani, kjo po ndryshon më në fund.
WhatsApp ka konfirmuar se po prezanton username, duke e sjellë platformën më afër mënyrës se si funksionojnë rrjetet sociale dhe aplikacionet moderne të mesazheve. Sipas kompanisë, funksioni do të prezantohet “më vonë gjatë këtij viti”, por rezervimi i username-it ka nisur që këtë javë. Në praktikë, kjo do të thotë se përdoruesit do të mund të komunikojnë pa zbuluar numrin e telefonit.

Në një postim zyrtar në blog, WhatsApp e përshkruan këtë risi si një hap drejt më shumë privatësie. Kushdo që dëshiron të të kontaktojë do të duhet të dijë saktësisht username-in tënd. Për më tepër, ekziston edhe një shtresë shtesë sigurie, një “username key” opsional, që duhet përdorur nga personat që përpiqen të të shtojnë.
Shpërndarja nuk do të jetë e menjëhershme për të gjithë. Usernames do të aktivizohen gradualisht gjatë muajve në vijim, dhe përdoruesit do të njoftohen sapo funksioni të jetë i disponueshëm në rajonin e tyre. Kur kjo të ndodhë, username-t do të zëvendësojnë numrat e telefonit për kontaktet e reja.

Krijuesit, bizneset e vogla dhe organizatat do të kenë mundësinë të përdorin të njëjtin username që kanë në Facebook apo Instagram. Përdoruesit e tjerë do ta gjejnë opsionin te Settings > Account > Username, sapo përditësimi të jetë aktiv.

