Ferrari dhe HP kanë zbuluar frytin e një bashkëpunimi të nisur në vitin 2024, që nuk ka asnjë lidhje me motorët me djegie, por shumë me dizajnin, teknologjinë dhe ekskluzivitetin. Bëhet fjalë pikërisht për laptopin HP Limited Edition Scuderia Ferrari AI PC.
Njoftimi u bë qëllimisht gjatë fundjavës së Monaco Grand Prix, por përtej simbolikës, laptopi është shumë më tepër sesa një ushtrim marketingu. Vetëm 4,999 njësi do të prodhohen, një qasje që pasqyron filozofinë klasike të Ferrarit për mungesë të qëllimshme dhe ekskluzivitet ekstrem. Pajisja del në shitje më 12 qershor 2026 në SHBA me çmim $5,599.

Ndryshe nga bashkëpunimet tipike “me logo”, ky projekt është zhvilluar në detaje nga të dyja ekipet e dizajnit. Elementi më i veçantë është pjesa e poshtme: fibër karboni dhe një panel transparent që ekspozon procesorin dhe sistemin e ftohjes, i frymëzuar drejtpërdrejt nga “engine bay” i hapur i makinave Ferrari. Ngjyra Rosso Magma, alumini i përpunuar me CNC dhe detajet vizuale e bëjnë pajisjen të dallohet menjëherë.

Nga ana teknike, laptopi bazohet në platformën profesionale të HP-së: procesor Intel Core Ultra X7, grafikë Intel Arc, 64GB RAM, 1TB SSD dhe performancë AI deri në 180 TOPS. Ekrani 14-inch 3K OLED me prekje, tastiera me RGB dhe Wi-Fi 7 e pozicionojnë si një makinë serioze pune, jo thjesht objekt koleksioni. Çdo njësi shoqërohet edhe me një mbrojtëse lëkure Poltrona Frau, të njëjtit material që përdoret në brendësitë e Ferrarit.

Ky është një produkt i ndërtuar për njerëz të veçantë, dhe pikërisht për këtë arsye, duket se të dyja kompanitë e kanë marrë jashtëzakonisht seriozisht.

