Në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, pothuajse çdo përdorues i një kompjuteri Microsoft me Windows mban mend lojën legjendare 3D Pinball for Windows – Space Cadet. E përfshirë falas deri në Windows XP, ajo u bë një ikonë kulturore falë realizmit dhe stilit të saj futurist. Megjithatë, ndryshe nga shumë lojëra pinball, Space Cadet nuk bazohej në një tavolinë fizike reale, por ishte pjesë e koleksionit Full Tilt! Pinball, i shitur nga Maxis që prej vitit 1995.
Për vite me radhë, entuziastët kanë diskutuar idenë e ndërtimit të një versioni fizik të Space Cadet, por pa rezultate konkrete. Një përpjekje më serioze u bë nga Deeproot Pinball, e cila zhvilloi një prototip të bazuar në dizajnin e lojës për një lançim të planifikuar në vitin 2021. Projekti dështoi përfundimisht, pasi kompania u mbyll mes akuzave për mashtrim.
Aty ku të tjerët dështuan, po përpiqet të arrijë sukses një person i njohur si CNCDan. Në një video të publikuar së fundmi, ai dokumenton hapat e parë të ndërtimit të një tavoline fizike Space Cadet, duke përdorur flipper-a mekanikë të printuar në 3D, pop bumpers me LED të integruar, shtytëse dhe madje edhe një fushë të ngritur, të gjitha të dizenjuara për të riprodhuar sa në mënyrë sa më reale ndjesinë e lojës origjinale.
Procesi nuk ka qenë i thjeshtë. Pasi e përshtati pamjen perspektive të ekranit në një tavolinë reale rreth 1 metër të lartë, CNCDan përfundoi me një fushë vetëm 56 cm të gjerë, shumë më i vogël se standardi komercial. Kjo e detyroi të krijojë bumpers jashtëzakonisht të vegjël dhe të zgjidhë probleme komplekse mekanike dhe elektrike që dizenjuesit e versionit virtual nuk i kishin parashikuar kurrë.
Aktualisht, CNCDan po kërkon artistë për të rindërtuar me dorë ilustrimet origjinale të Space Cadet, duke refuzuar përdorimin e AI. Edhe pse projekti është ende larg përfundimit, progresi i deritanishëm ka ringjallur shpresën se një ditë nostalgjia e pinball-it klasik të Windows-it mund të bëhet realitet i prekshëm.

