Google po teston një mënyrë të re intervistimi për inxhinierët e software, duke i lejuar ata të përdorin inteligjencën artificiale gjatë procesit. Sipas një dokumenti të brendshëm të parë nga Business Insider, kompania po ndryshon mënyrën e rekrutimit për ta përshtatur me realitetin e ri të zhvillimit të softuerit në epokën e AI.
Programi pilot do të zbatohet fillimisht për role junior dhe mid-level në SHBA, me mundësi zgjerimi në ekipe dhe rajone të tjera nëse rezulton i suksesshëm. Nga gjysma e dytë e vitit, kandidatët do të lejohen të përdorin një asistent AI të miratuar gjatë fazës së “code comprehension”, ku duhet të lexojnë, korrigjojnë dhe optimizojnë kod ekzistues. Intervistuesit do të vlerësojnë jo vetëm aftësitë teknike, por edhe përdorimin e AI, përfshirë mënyrën e formulimit të kërkesave (prompt engineering), verifikimin e rezultateve dhe debugging-un.
Google konfirmoi ndryshimet dhe tha se modeli Gemini do të përdoret si asistent AI gjatë fazës pilot. Sipas Brian Ong, zëvendëspresident i rekrutimit në Google, kompania po përshtat procesin e punësimit me mënyrën se si ekipet funksionojnë sot në epokën e AI.
Ndryshimet pasqyrojnë ndikimin e madh që inteligjenca artificiale ka sjellë në zhvillimin e softuerit. Google deklaroi se rreth 75% e kodit të ri të krijuar brenda kompanisë gjenerohet tashmë nga AI. Edhe OpenAI ka raportuar rritje të madhe të përdorimit të AI në programim.
Dokumenti përshkruan gjithashtu ndryshime të tjera në intervista. Raundi “Googleyness and Leadership” do të përfshijë diskutime teknike mbi projektet e kaluara të kandidatëve, ndërsa kandidatët më të rinj do të përballen me sfida inxhinierike më të hapura. Qasja e re përshkruhet si “human-led, AI-assisted”, duke synuar të simulojë më mirë mënyrën reale të punës së një inxhinieri modern software.

