Drejtuesi aktual i NASA, Jared Isaacman, ka shprehur hapur dëshirën që Plutoni të riklasifikohet si planet. Ky debat daton që nga viti 2006, kur International Astronomical Union (IAU) vendosi ta heqë Plutonin nga lista e planetëve dhe ta kategorizojë si “planet xhuxh”, një vendim që shkaktoi polemika të mëdha në komunitetin shkencor dhe publik.
Plutoni kishte një rëndësi të veçantë, sidomos në SHBA, pasi ishte i vetmi planet i zbuluar nga një amerikan, Clyde Tombaugh, në vitin 1930. Vendimi i IAU u bazua në tre kritere për të përcaktuar një planet: objekti duhet të rrotullohet rreth Diellit, të ketë formë sferike dhe të ketë të “pastruar” orbitën e tij nga objekte të tjera. Plutoni nuk e plotëson kriterin e tretë, pasi ndodhet në Brezin Kuiper, ku ndan hapësirën me shumë objekte të tjera të ngjashme.

Megjithatë, kritikët argumentojnë se edhe planete si Toka dhe Jupiteri ndajnë orbitat e tyre me asteroide, duke e bërë këtë kriter të diskutueshëm. Kjo është arsyeja pse shumë shkencëtarë dhe entuziastë vazhdojnë të kërkojnë rikthimin e statusit të mëparshëm të Plutonit.
Gjatë një dëgjese në Senatin amerikan mbi buxhetin e NASA-s për vitin 2027, Isaacman deklaroi se është në “kampin që mbështet rikthimin e Plutonit si planet”. Ai përmendi gjithashtu se po punohet mbi disa studime për të rihapur debatin në komunitetin shkencor dhe për t’i dhënë sërish meritat që i takojnë zbuluesit Tombaugh.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk i takon NASA-s, por IAU-së, e cila është autoriteti global për klasifikimin e trupave qiellorë. Një moment i rëndësishëm në këtë debat ishte misioni New Horizons në vitin 2015, që solli imazhet e para nga afër të Plutonit, duke zbuluar një botë komplekse me male, akullnaja dhe forma të veçanta si rajoni në formë zemre.

