Platforma muzikore Spotify feston 20-vjetorin e krijimit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e industrisë së muzikës digjitale. E themeluar më 23 prill 2006 nga Daniel Ek dhe Martin Lorentzon, dhe e prezantuar publikisht në vitin 2008, Spotify ka revolucionarizuar mënyrën se si njerëzit dëgjojnë muzikë.
Sot, platforma ofron mbi 100 milionë këngë, rreth shtatë milionë podkaste dhe mbi 500 mijë libra audio, duke arritur një audiencë globale prej 751 milionë përdoruesish në 184 tregje. Për të shënuar këtë përvjetor, Spotify ka publikuar për herë të parë listat e përmbajtjeve më të dëgjuara në historinë e saj.
Në krye të artistëve më të transmetuar renditet Taylor Swift, e ndjekur nga Bad Bunny, Drake dhe The Weeknd. Megjithatë, pikërisht The Weeknd dominon në kategorinë e këngëve, me hitin Blinding Lights që mban rekordin si kënga më e dëgjuar ndonjëherë në platformë. Pas saj renditet Shape of You nga Ed Sheeran.
Lista e këngëve më të dëgjuara përfshin gjithashtu tituj si “Sëeater Weather”, “Starboy” dhe “As It Was”, duke reflektuar dominimin e muzikës moderne në platformë. Në fakt, një nga zbulimet më interesante është se shumica e përmbajtjes më të dëgjuar i përket artistëve dhe këngëve relativisht të reja, pavarësisht popullaritetit të klasikëve.
Në kategorinë e podcast-eve, dominon The Joe Rogan Experience, ndërsa në librat audio spikat Sarah J. Maas me serinë e saj të famshme “A Court of Thorns and Roses”.
Përvjetori ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues janë habitur nga fakti se platforma ekziston prej dy dekadash.

