Instagram po zgjeron sërish portofolin e aplikacioneve sociale, kësaj here me një aplikacion të ri të quajtur “Instants,” i cili i ngjan shumë me Snapchat apo BeReal. Ky aplikacion i ri është tashmë i disponueshëm dhe është ndërtuar mbi funksionalitetin e mëparshëm të njohur si “Shots,” që ishte i integruar në seksionin e mesazheve të Instagram-it. Ky funksion ishte menduar për shpërndarje të shpejtë dhe spontane të momenteve të përditshme, por nuk arriti të bëhej shumë i njohur, çka duket se ka çuar në vendimin për ta ndarë në një aplikacion më vete.
Instants lejon përdoruesit të identifikohen me llogarinë e tyre ekzistuese të Instagram-it dhe hapet direkt në kamera, duke e bërë shumë të lehtë kapjen dhe dërgimin e menjëhershëm të fotove tek miqtë. Qëllimi kryesor është ndarja e momenteve reale, pa filtra apo modifikime të gjata, duke i dhënë përparësi spontanitetit dhe autenticitetit.
View on Threads
Një nga veçoritë kryesore të Instants është se fotot e shpërndara zhduken pas 24 orësh dhe nuk mund të shihen më pas kësaj kohe. Kjo krijon një ndjesi privatësie dhe përkohshmërie, e ngjashme me përvojën që ofron Snapchat. Instagram thekson se aplikacioni është krijuar për të ndarë “momentet e vogla të jetës” me njerëzit më të afërt.
Përmbajtja e dërguar apo e marrë në Instants mund të shihet gjithashtu edhe në aplikacionin kryesor të Instagram, duke ruajtur lidhjen mes dy platformave. Aplikacioni është i disponueshëm në Android dhe iOS, megjithëse jo në të gjitha rajonet momentalisht. Pritet që së shpejti të realizohet zgjerimi drejt rajoneve të mbetura.

