Që nga prezantimi i parë i Galaxy Buds në vitin 2019, Samsung ka zgjeruar vazhdimisht linjën e kufjeve të tij me modele si Galaxy Buds Core, Galaxy Buds FE, Galaxy Buds Pro dhe Galaxy Buds Live. Tani, kompania duket se po përgatitet të prezantojë një kategori krejtësisht të re në këtë segment.
Sipas raportimeve të fundit, Samsung po punon mbi një model të ri të quajtur “Galaxy Buds Able” (ose “Galaxy Able”), megjithëse nuk është ende e qartë nëse ky do të jetë emri përfundimtar apo vetëm një kod i brendshëm. Ky model është shfaqur në versionin më të fundit të aplikacionit Galaxy Wearable me numrin SM-U600. Ndryshe nga modelet ekzistuese të Galaxy Buds që përdorin kodimin SM-Rxxx, ky identifikues i ri sugjeron se kemi të bëjmë me një kategori të ndryshme produktesh.
Raportet tregojnë se Galaxy Buds Able mund të jenë kufje me teknologji të përçimit përmes kockave (bone conduction). Kjo teknologji funksionon ndryshe nga kufjet tradicionale. Në vend që të transmetojnë zërin përmes kanalit të veshit, ato përdorin dridhje që përcillen përmes kockave të direkt në koklea (pjesa e veshit të brendshëm). Këto dridhje shndërrohen më pas në sinjale elektrike që truri i interpreton si tinguj.
Një avantazh i madh i kësaj teknologjie është se nuk bllokon kanalin e veshit, duke i lejuar përdoruesit të dëgjojnë edhe tingujt përreth, si trafikun apo bisedat. Kjo i bën ato veçanërisht të dobishme për aktivitete në natyrë si vrapimi apo çiklizmi, ku ndërgjegjësimi për ambientin është i rëndësishëm. Gjithashtu, ato mund të jenë të dobishme për persona me probleme të dëgjimit.

