Një aplikim i ri për patentë nga Sony sugjeron një mënyrë inovative për të menaxhuar ndërprerjet e shkurtra gjatë lojërave, pa qenë e nevojshme ndalimi i plotë i tyre. Në aplikimin për patentim (US20260021411), të depozituar pranë USPTO, përshkruan konceptin e quajtur “Soft Pause”, i cili synon të vendosë lojën në një gjendje alternative, pa e ndaluar ekzekutimin e saj në mënyrë tradicionale.
Ndryshe nga pauza klasike që ndalon plotësisht lojën dhe shpesh kalon në një menu, Soft Pause lejon që loja të vazhdojë në një formë të modifikuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për lojërat VR, ku një ndërprerje e menjëhershme dhe kalimi në ekran statik mund të shkaktojë marramendje ose të përziera te lojtarët.

Sipas patentës, Soft Pause mund të zbatohet në mënyra të ndryshme, në varësi të lojës apo zhanrit. Opsionet përfshijnë ngadalësimin e ritmit të lojës, rritjen e lehtësive për lojtarin, udhëzimin automatik drejt objektivave ose armiqve, si dhe përmirësimin e asistencave si aim assist apo zgjerimin e dritareve kohore për reagime.
Një ide edhe më ambicioze është që gjatë Soft Pause kontrolli i lojës t’i kalojë përkohësisht një sistemi të bazuar në machine learning, i cili do të luante në vend të lojtarit derisa ai të rikthehej. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ky sistem do të trajnohej mbi të dhënat individuale të lojtarit apo do të ofronte sjellje më të përgjithshme.

Zbatimi i Soft Pause në lojërat konkurruese mbetet një pikëpyetje e madhe. Aktualisht, të qenit larg tastierës në këto lojëra mund të ketë pasoja serioze për ekipin. Megjithatë, ekzistojnë precedentë, si Paladins, ku një AI merr kontrollin kur lojtarët shkëputen.
Si shumë patenta të tjera, edhe kjo nuk garanton domosdoshmërisht zbatim praktik, por tregon drejtimin ku Sony po mendon të çojë përvojën e lojërave, duke rritur fleksibilitetin dhe duke i bërë më të përshtatshme për lojtarin.

