Meta ka konfirmuar se po zhvillon një version premium për platformat e saj të rrjeteve sociale, ku përfshihet edhe WhatsApp. Ky hap është pjesë e strategjisë së kompanisë për të diversifikuar burimet e të ardhurave dhe për të ulur varësinë nga reklamat digjitale, të cilat deri tani kanë qenë shtylla kryesore e biznesit të saj.
Shenjat e para të këtij abonimi të ri janë vërejtur në versionin më të fundit beta të WhatsApp për Android, ku përdoruesit mund të shohin tashmë një opsion për t’u regjistruar në një listë pritjeje për planin premium. Përdoruesit që regjistrohen pritet të marrin njoftime dhe qasje të hershme sapo shërbimi të bëhet zyrtarisht i disponueshëm.
Sipas informacioneve fillestare, plani premium do të fokusohet kryesisht në personalizim dhe komoditet. Abonentët mund të përfitojnë nga paketa ekskluzive sticker-ash, më shumë tema për të personalizuar pamjen e aplikacionit, si dhe një limit më i lartë për bisedat e bëra pin, duke lejuar më shumë se tre chats të qëndrojnë në krye të inbox-it.

Raportime të tjera nga WABetaInfo sugjerojnë se Meta po shqyrton edhe veçori shtesë për këtë paketë me pagesë. Ndër to përfshihen mundësia për të personalizuar ikonën e aplikacionit WhatsApp, një përvojë pa reklama në Status dhe Channels, si dhe tinguj njoftimesh ekskluzive për bisedat. Nëse këto funksione implementohen, përdoruesit do të kenë më shumë kontroll mbi pamjen dhe mënyrën e përdorimit të aplikacionit.
Meta nuk ka dhënë ende një afat konkret për prezantimin e abonimit premium në WhatsApp apo platformat e tjera. Ndërkohë, kompania vazhdon të testojë dhe të integrojë aftësi të avancuara të inteligjencës artificiale, duke sinjalizuar një fazë të re evolucioni për shërbimin e mesazheve.

