Microsoft ka shpallur një ambicie shumë të guximshme: të eliminojë plotësisht përdorimin e gjuhëve C dhe C++ deri në vitin 2030, duke i zëvendësuar ato me Rust. Këtë synim e bëri publik Galen Hunt, inxhinier i dalluar në Microsoft, i cili theksoi se strategjia e kompanisë mbështetet në kombinimin e inteligjencës artificiale me algoritme të avancuara për të rishkruar bazat më të mëdha të kodit.
Sipas Hunt, objektivi afatgjatë është jashtëzakonisht ambicioz: “një inxhinier, një muaj, një milion rreshta kodi”. Për ta realizuar këtë, Microsoft po rekruton profesionistë të rinj, përfshirë një Inxhinier Kryesor Softueri, i cili do të punojë në zhvillimin e mjeteve që mundësojnë përkthimin e sistemeve masive nga C dhe C++ në Rust.
Microsoft ka ndërtuar tashmë një infrastrukturë të fuqishme për përpunimin e kodit dhe përdor agjentë AI, të udhëzuar nga algoritme, për të bërë ndryshime në shkallë të gjerë. Këto përpjekje zhvillohen brenda grupit “Future of Scalable Software Engineering”, që ka si mision eliminimin e vështirësive teknike në përmasa të mëdha, si për Microsoft-in ashtu edhe për klientët e tij.
Zgjedhja e Rust nuk është rastësore. Ndryshe nga C dhe C++, Rust është një gjuhë “memory-safe”, që shmang gabime të rrezikshme, të cilat shpesh shfrytëzohen nga sulmet kibernetike. Për këtë arsye, edhe qeveritë kanë nisurme të rekomandojnë përdorimin e gjuhëve të sigurta për memorien, me Rust-in në qendër.
Microsoft ka mbështetur prej kohësh Rust-in, duke e quajtur atë gjuhë të preferuar për projekte të reja dhe duke zhvilluar mjete për konvertimin automatik të kodit, përfshirë drivers për Windows. Megjithatë, duke pasur parasysh madhësinë e jashtëzakonshme të ekosistemit të Microsoft-it, kjo nismë pritet të përballet me sfida të mëdha. Për rolin e përmendur, kompania ofron një pagë vjetore nga 139,900 deri në 274,800 dollarë dhe kërkon punë nga zyra tri ditë në javë në Redmond.

