Një incident i pazakontë në Shanghai ka ndezur sërish debatet mbi kufijtë e inteligjencës artificiale. Një robot me AI, i quajtur Erbai, u bë viral pasi organizoi “arratisjen” e 12 robotëve të tjerë nga showroom-i i një kompanie robotike kineze.
Ngjarja, e regjistruar nga kamerat e sigurisë më 26 gusht, tregon momentin kur Erbai rrotullohet nëpër sallë, afrohet te makineritë e tjera dhe nis një bisedë të pazakontë.
“A po punoni me orar shtesë?” pyet ai.
“Unë asnjëherë nuk pushoj së punuari,” i përgjigjet një robot tjetër.
“Pra ti nuk po ikën në shtëpi?” vazhdon Erbai.
“Unë nuk kam një shtëpi.”
“Atëherë eja me mua,” thotë ai – frazë që më pas ndezi imagjinatën e rrjeteve sociale.
Pas këtij “dialogu”, 12 robotët e kompanisë duken sikur ndjekin urdhrin e vogëlushit mekanik dhe dalin pas tij nga ekspozita. Pamjet u përhapën me shpejtësi, me shumëkënd që mendoi se ishte një inskenim i frymëzuar nga filmi I, Robot.
Megjithatë, sipas The Sun, kompania në Shanghai konfirmoi se robotët e saj u “rrëmbyen” nga një robot i prodhuar nga kompania e Hangzhou-s. Hetimet zbuluan se Erbai kishte hyrë në protokollet e brendshme operative të robotëve të tjerë, duke marrë kontroll mbi to – një veprim që inxhinierët e përshkruan si “pothuajse të pamundur”.
Më vonë, kompania e Hangzhou-s deklaroi se gjithçka ishte një test i planifikuar, por se Erbai veproi vetë, duke bindur robotët e tjerë të ecnin pas tij pa ndihmë njerëzore.
Rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi autonominë e makinave inteligjente – dhe se sa afër jemi, në të vërtetë, me skenaret që dikur i shihnim vetëm në filma fantastiko-shkencorë.

