Pas problemeve me gërvishtjen që shoqëruan prezantimin e iPhone 17, një fenomen tjetër ka filluar të tërheqë vëmendjen e përdoruesve: ndryshimi i ngjyrës te modelet iPhone 17 Pro dhe Pro Max, veçanërisht në versionin Cosmic Orange dhe Deep Blue.
Disa përdorues po vërejnë se ngjyra portokalli e pajisjes së tyre po shndërrohet në rozë ose në nuanca “rose gold” pas njëfarë kohe përdorimi.Ngjyra Cosmic Orange, e cila u prezantua për herë të parë me këtë gjeneratë, u mirëprit gjerësisht për pamjen e saj të veçantë dhe elegante. Megjithatë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar imazhe që tregojnë se ngjyra është zbehur ose ndryshuar, kryesisht rreth kamerës dhe kornizës së pasme. Disa përdorues kanë krahasuar efektin me makinat lodër që ndryshojnë ngjyrë në kontakt me temperaturën.

Një përdorues në Reddit, me emrin “DakAttack316”, postoi një foto të telefonit të tij duke shkruar: “Doja një iPhone portokalli, jo rozë.” Të tjerë kanë pretenduar se ndryshimi ndodh pas ekspozimit të gjatë në diell, megjithëse kjo hipotezë nuk është konfirmuar.
Deri tani, Apple nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar dhe në forumet e saj të mbështetjes nuk janë raportuar raste të ngjashme, duke e lënë të paqartë nëse fenomeni është i përhapur apo i izoluar.

Në mungesë të provave të forta, mbetet e paqartë nëse problemi lidhet me procesin e anodizimit të aluminit apo reaksionin me dritën UV. Për momentin, incidentet mbeten të pakta, por fenomeni i “ndryshimit të ngjyrës” në iPhone 17 Pro është bërë temë e nxehtë mes përdoruesve dhe komunitetit teknologjik online.