Elon Musk ka arritur një tjetër rekord historik, duke u bërë personi i parë në botë që prek një pasuri neto prej $500 miliardë, sipas listës së Forbes. Pasuria e tij kaloi përkohësisht gjysmën e trilionit përpara se të ulej në rreth $485 miliardë. Ky nivel i jashtëzakonshëm është kryesisht rezultat i rritjes së vlerës së aksioneve të Tesla, ku Musk zotëron rreth 12%. Kompania aktualisht vlerësohet mbi 1.5 trilionë dollarë.
Tesla raportoi 497,099 dërgesa makinash për periudhën korrik-shtator, duke tejkaluar pritshmëritë e tregut. Kjo rritje u ndikua nga kreditet tatimore për blerësit e automjeteve elektrike në SHBA, përpara skadimit të tyre. Rritja e çmimit të aksioneve ka përmirësuar ndjeshëm perspektivën financiare të Musk, pavarësisht sfidave të mëparshme me konkurrencën kineze dhe kritikat për shpërqendrimin e tij nga Tesla për shkak të angazhimeve në biznese të tjera.

Përveç Tesla-s, Musk ka një portofol të fuqishëm kompanish. Ai zotëron 42% të SpaceX, e cila pritet të arrijë një vlerësim prej $400 miliardë, si dhe themeloi xAI, një kompani inteligjence artificiale që në korrik u vlerësua me $75 miliardë.
Pavarësisht polemikave politike, përfshirë mbështetjen e tij të hapur për Donald Trump, aksionet e Tesla-s janë rritur me 13% që nga fillimi i vitit 2025. Një element kyç ka qenë rikthimi i fokusit të Musk tek kompania, diçka që u theksua edhe nga kryetarja e bordit, Robyn Denholm, e cila deklaroi se ai ishte sërish “në qendër të vëmendjes” pas muajve të kaluara mes kontakteve politike në Shtëpinë e Bardhë.
Së fundmi, Musk bleu $1 miliard aksione Tesla, duke dhënë një sinjal të fortë besimi për të ardhmen e kompanisë, e cila po përpiqet të transformohet nga prodhues automjetesh në një fuqi të inteligjencës artificiale dhe robotikës. Për këtë arsye, bordi i Tesla-s ka propozuar një plan kompensimi prej 1 trilion dollarësh për Musk, i lidhur me objektiva të guximshëm financiarë dhe operacionalë.