Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka lëshuar një njoftim urgjent për një fushatë mashtrimi që po qarkullon nëpërmjet SMS-ve. Sipas institucionit, qytetarët po marrin mesazhe të rreme, të njohura si “smishing”, ku u kërkohet të paguajnë gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mesazhet përmbajnë një link mashtrues dhe paraqiten si komunikim zyrtar, duke synuar të vjedhin të dhënat personale dhe financiare të marrësve. AKSK thekson se ky nuk është një komunikim i institucioneve shtetërore dhe u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në asnjë link, të mos japin të dhëna bankare dhe të mos kryejnë pagesa online përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare.

Autoriteti njofton se ka ndërmarrë masa për të raportuar dhe bllokuar faqet mashtruese, në mënyrë që të parandalohet çdo dëm i mundshëm. Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes maksimal dhe, në rast se marrin mesazhe të dyshimta, të kontaktojnë menjëherë AKSK ose institucionet përkatëse.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur mashtrimet kibernetike po shtohen, duke synuar të përfitojnë nga pakujdesia e përdoruesve të shërbimeve online. AKSK apelon për vigjilencë dhe raportim të menjëhershëm për çdo rast të ngjashëm.