Pas vitesh pritjeje dhe thashethemesh, Spotify më në fund po sjell audio lossless për përdoruesit e saj. Për herë të parë u përfol që në vitin 2017, më pas u premtua në 2021 e 2024, por çdo herë u shty. Tani kompania ka konfirmuar se opsioni është realisht gati dhe do të nisë shpërndarjen gjatë dy muajve të ardhshëm.
E veçanta është se Spotify nuk po e lidh këtë shërbim me një abonim të ri me çmim më të lartë. Të gjithë abonentët ekzistues të Premium në 50 tregje do të marrin qasje në lossless pa asnjë kosto shtesë. Përfshirë në listën fillestare janë vende si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Japonia, Suedia, Portugalia dhe Australia. Përdoruesit do të marrin një njoftim në aplikacion sapo funksioni të bëhet i disponueshëm, dhe aktivizimi bëhet nga menuja e cilësisë së medias.

Spotify do të shfaqë gjithashtu tregues të qartë kur dëgjimi është në format lossless, si në shiritin “Now Playing” ashtu edhe në Connect Picker për pajisjet e mbështetura. Fillimisht, kompabiliteti përfshin marka si Sony, Bose, Samsung dhe Sennheiser, ndërsa mbështetja për Sonos dhe Amazon pritet muajin e ardhshëm.
Megjithatë, ekziston një kufizim: Spotify ofron 24-bit / 44.1 kHz FLAC, ndërsa konkurrentë si Apple Music, Tidal dhe Qobuz shkojnë deri në 24-bit / 192 kHz. Për shumicën e dëgjuesve diferenca është e papërfillshme, por për personat me pajisje të nivelit të lartë, kjo mbetet një diferencë lehtësisht e dallueshme. Kjo gjithashtu i lë hapësirë Spotify-t të prezantojë në të ardhmen një plan “deluxe” me cilësi më të lartë dhe çmim të rritur.
Me këtë hap, Spotify i bashkohet Apple, Tidal dhe Qobuz në ofrimin e transmetimit lossless, duke lënë vetëm YouTube Music si shërbimin e madh që ende nuk e mbështet. Dhe për momentin, Google nuk ka dhënë asnjë sinjal se planifikon ndryshime.