Dolby Laboratories do të prezantojë Dolby Vision 2, një evolucion i standardit të njohur të industrisë për cilësinë e figures gjatë IFA 2025 në Berlin, ku Geek Room dhe Neptun do të jenë të pranishëm për të informuar ndjekësit rreth të rejave më të fundit nga bota e teknologjisë. Ky version i ri është krijuar për të shfrytëzuar plotësisht aftësitë e televizorëve modernë dhe mjetet kreative të artistëve.
Në zemër të Dolby Vision 2 është Content Intelligence, një grup mjetesh të reja që përdorin inteligjencën artificiale. Kjo teknologji ka për qëllim të krijojë një urë më të fortë midis vizionit të krijuesve dhe përvojës së shikuesit në shtëpi, duke përshtatur automatikisht cilësinë e figurës sipas përmbajtjes dhe kushteve të dritës në ambient.
Disa nga veçoritë kryesore janë:
- Precision Black: Përmirëson dukshmërinë në skenat e errëta.
- Light Sense: Detekton dritën e ambientit për të optimizuar figurën.
- Sports & Gaming Optimization: Përmirëson cilësinë e figurës për transmetime sportive dhe lojëra.
- Bi-directional tone mapping: Kjo teknologji do t’i lejojë televizorët premium të shfaqin ndriçim më të lartë, kontrast më të mprehtë dhe ngjyra më të thella, duke ruajtur qëllimin artistik.
- Authentic Motion: Mjeti i parë i kontrollit të lëvizjes i drejtuar nga krijuesit për të dhënë një ndjenjë më “kinematografike” skenave.
Dolby Vision 2 do të jetë i disponueshëm në dy versione. Dolby Vision 2 Max do të shfrytëzojë fuqinë maksimale të televizorëve premium, ndërsa versioni i rregullt i Dolby Vision 2 do të jetë i pranishëm në televizorët e zakonshëm.
Hisense do të jetë prodhuesi i parë i televizorëve që do të ofrojë mbështetje për standardin e ri. Po ashtu, shërbimi francez i transmetimit Canal+ ka konfirmuar se do të përdorë këtë teknologji të re për filma, shfaqje televizive dhe sporte live.